Për Migjenin, dhe përsëri për Migjenin...
- Revista Ikon
- Oct 5, 2024
- 5 min read
Updated: Oct 29, 2024

Nga profesor Xhahid Bushati Shkodër, shtator, 2024
Puka, ky vend malor, do të jetë vatra dhe streha për Migjenin mësues e poet. Edhe pse në mjerim, shpirti njerëzor e fisnik pukjan fal bardhësi për Migjenin, edhe pse ishte i sëmurë. Edhe këtu, përmes motiveve që shkroi Migjeni u ndesh përsëri me kontraste trishtuese deri në dhimbje, deri aty ku “nuk arrin zani”. Mësuesinë e filloi më 18.04.1936. Dha mësim në klasën e tretë dhe të katërt. Në klasën e tretë realizoi këto programe: hartim, drejtshkrim, aritmetikë, bukurshkrim, vizatim, këngë dhe gjimnastikë. Ndërsa në klasën e katër realizoi këto programe: mësim moral e qytetar, hartim, drejtshkrim, gramatikë, aritmetikë, bukurshkrim, vizatim, këngë dhe gjimnastikë.
E, duke mbetur në mjediset e këtyre dy klasave, nuk ka sesi të mos kujtojmë vocrrakët-nxënës, e në mes tyre Lulin e Vocërr dhe Zenelin, që u përjetësuan në skicat letrare si rrëfime mrekullie nga mësuesi i tyre shkrimtar. Këtu, do të pohojmë mendimin e prof. Bedri Dedjes, me të çilin ndajmë një mendje, se mënyra e strukturimit dhe ligjërimit të tekstit i takon letërsisë mbi fëmijët.
Luli i Vocërr është një personazh i dashtun i Migjenit, aq i dashtun sa bota e tij vetmitare dhe e trishtuar plotëson e vijimëson botën e Migjenit të Madh. Migjeni e ndjek Lulin artistikisht hap pas hapi. Operon me çdo detaj. Çdo detaj dhimbshëm e i përvajshëm. Ata vizatojnë gjendjen shpirtërore të Lulit, që veç Migjeni e njeh, që veç Migjeni e di. Për rrjedhojë, kjo marrëdhënie ka aq afri sa mbetet një model dashunie dhe frymëzimi.
Luli është i pjekur para kohe. E ka pjekë varfëria, mjerimi. Edhe pse diku në një qoshe, teksa i buzëqesh një rrezeje të dobët; ai në shpirt ka ruajtur një tufë me ëndrra jo për veten, por mësuesin, Migjenin e tij të dashtun. “Nganjëherë i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur e ka fytyrën e dlirtë dhe pa puça, mësuesi ja ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ia merr dorën, e shikon me sy pëllumbi dhe kishte dashtë t’i fali diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. E Luli i Vocërr ç’ka mund t’i fali mësuesit tjetër? Veç në ja faltë tollumbat e veta që kanë hapun gojën si me dashtë me hangër mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të Vocërr kanë me e hangër mësuesin”.
E kështu në dimensionin artistik: mbeten, ashtu, pranë e pranë Luli i dashtun dhe Migjeni i dashtun. Një dashtunim që i bën sfidë mjerimit, por edhe një model edukativ, një model moral i ndjenjës dhe pastërtisë njerëzore. Njerëzorja e përshkon krye fund ligjërimin për Lulin e Voçërr. Po me të njëjtën pamje atë të njerëzores, por në një dimension e rrafsh tjetër, është parë nga mësuesi figura e Zenelit. Në disa aspekte Zeneli plotëson Lulin, por ka disa të përveçme, si: është i zgjuar. “Mjaft ma, Zotni mësues, mjaft na mësuet si duhet me jetue, çka asht mirë e bukur mjaft na mësuet, - megjithatë na po rrojmë si rrojtën stërgjyshnit tanë, po në ato gëzime e po në ato mjerime, të lanun e të tretun ndër këto bjeshkë. Qe na shiko një herë, njenit nepër kmishtë të shkyeme i shifet supi i verdhë, tjetrit barku si drrasë, atij atje asht gati t’i bjerë të fikët nga uria, një tjetër prap memezi përmbahet mos t’i bajnë, dhambët brr nga ethet…” I gjithë ky fragment tronditës e tragjik i vendosur në gojën e Zenelit, që vetë është një personazh tragjik, zbulohet realisht realiteti që askush nuk mund ta përshkruante më bukur sesa pena e Migjenit. Para fjalëve të Zenelit kalojnë shokët e tij bashkëmoshatarë: të pikturuar dridhshëm e të detajuar qartazi. Rrallë mund të ketë piktura të tilla, ku sundojnë kufijtë fëminorë e arsyetimet e tyre dalin jashtë këtyre kufijve. Akuzat e Zenelit kanë dimensione shekspiriane.
Karakteristika e dytë e Zenelit është se, ai është inteligjent. Është personifikim i Dritës së Diturisë. Vetë, Zeneli është dhimbje e trishtim real. Vetë Zeneli është një ëndërrimtar dhe këtë ëndërrim e kërkon jo vetëm për të sotmen por edhe për të nesërmen, të nesërmen për ta realizuar. Ndaj ai sjell fakte e dukuri. I fakton ata me momente të trishta nga realiteti. “S’kemi kurrgja, Zotni, as vegla të reja për punë, as shtëpia higjienike të mira si në shtetet e tjera jemi të vegjël”.
I lexon këto rreshta dhe të mbyt një det lotësh. Zeneli është guximtar dhe i vetdijshëm për çka flet, si: “… jemi të vegjël”.
. Në të dy fragmentet që citova më lart, dëshiroj të evidentoj dy momente përbashkësie: Në të parin, Zeneli e nis ligjërimin kështu: “Mjaft ma, Zotni mësues…”. Në të dytin, Zeneli e nis ligjërimin kështu: “S’kemi kurrgja, Zotni…”. Në të dy rastet komunikimi është i drejpërdrejt dhe i drejtohet mësuesit. Pret përgjigje nga Ai. Tek Ai e ka shpresën, tek Ai beson. Vetë shpresa dhe besimi është në figurën e gdhendur të Zenelit. Ai thotë shumë… Dhe unë personalisht nuk ndaj të njëjtin mendim me disa kritikë, të cilët kanë gjetur te kjo pjesë nota fataliste. Gjykimi i tyre mbeti brenda kornizave të realitetit socialist. Gjykimi i tyre qe sporadik dhe jo i thelluar e vërtetë. Zeneli, ashtu si Luli i Vocërr janë produkte reale të një realiteti tragjik. Dhe realja nuk është fatale, përkundrazi është pasqyrim konkret, pa zbukurime i realitetit. Të rralla janë këto modele ligjërimore me personazhe, si: Luli i Voçërr dhe Zeneli. Vetëm madhështia e talentit të Migjenit shkon në kohë e përtej kohës. Nuk është krijues i përshkrimit por i sintezës. Migjeni është i gjithkohshëm.
Migjeni, sipas dëshmisë së shokut të tij të rinisë, shkrimtarit Teufik Gjyli
Shkrimtari për fëmijë Teufik Gjyli ka pasur shoqëri të ngushtë me Migjenin. Në moshën e rinisë, ata nuk ndaheshin me njëri-tjetrin. Dhe shkrimtari për fëmijë ka botuar herëpashere shkrime në formë kujtimesh për shokun e tij të rinisë, Migjenin. Teufiku, kryesisht, i botoi në revistën “Nëntori”, dhe u përkasin viteve 1955 dhe 1961.
Shkrimtari kujton: “Ishte fundi i vitit 1933, kur u takova për herë të parë. ... ... Qe një djalë i ri, i hijshëm, me një trup të drejtë, i pastër në veshje dhe ma i pastër në shpirt. Me bisedat e para ta fitonte zemrën e të bante për vete. Në natyrë të dukej gjithmonë i thithun dhe i përhjekun. ... ... Migjeni i pa me sytë e vet ngjarjet, të cilave u kushtoi radhët dhe vargjet e tij. Ai vrente sendet, që i kalonin para syve. I vrente gjatë e me kujdes të madh. Pastaj mendonte. E, atëherë, shkruante.”
*
Migjeni shkruante… Mua më duket se ende shkruan… “Sa dëshira të flakta ushqej për këtë qytet! Dëshirat e mia janë shumë – shumë ma të sinqerta e ma të mëdha se dëshirat që pat perëndia kur krijoi botën.”
E deshti Shkodrën! Shkodra për Migjenin ishte testament.
Vjeshta Në Parakalim
Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona,
Afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli,
lëngon shpirt' i smum ndër krahnore tona,
dridhetjet' e vyshkun ndër gemba të një plepi.
Ngjyrët e verdha lozin në vallen e fundme -
(dëshirë e marrë e gjethve që një nga një vdesin!)
Gëzimet, andjet tona, dëshirat e fundme
nëpër balta të vjeshtës një nga një po shkelin.
Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit,
tundet dhe përgjaket në pasion të viganit:
"Jetë! Jetë unë due!" - e frymë merr prej fellit,
si stuhi shkyn ajrin... por në fund ia nis vajit.
Dhe m'at vaj bashkohet horizont' i mbytun
në mjegull përpise. Pemët degët e lagun
me vaj i mshtjellin në lutje - por kot! e dinë, të fikun,
se nesër do vdesin... Vall! A ka shpëtim ndokund?!
Mallëngjehet syni, mallëngjehet zemra
n'orën e vorresës, kur heshtin damaret,
e vorri inaltohet nën qiella ma t'epra
me klithëm dëshprimi që në dhimbë të madhe zvarret.
Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra tona.
Rënkoni dëshirat fëmitë ejetës së vafun;
rënkoni në zije, qani mbi kufoma,
që stolisin vjeshtën nëpër gemba të thamun.
コメント