Ana Bushgjokaj: Suksesin ja dedikoj Zotit
- Revista Ikon
- Feb 12
- 3 min read
Updated: Feb 23

Ana Bushgjokaj, këngëtare/ kompozitore e lindur dhe e rritur në Shkodër. Ka patur fillesat e saj në Qendrën Kulturore të Fëmijeve “Kujtim Alija”. Pjesëmarrëse në kompeticione të ndryshme brenda dhe jashtë Shqiperisë.
E vlerësuar me Çmimin e parë në Festivalin “Lulebore” në vitin 2022 dhe 2024. Ka realizuar koncertin e Krishtlindjes në vitin 2023 me Orkestren Simfonike Shkodër. Ajo ka publikuar një listë te gjatë me këngë në platformat digjitale, ku ndër to është edhe albumi më i ri i saj “Himne Hiri” i cli përbëhet nga 14 këngë. Ajo e promovoi albumin përmes një koncerti në Teatrin Migjeni në Shkodër dhe në Tiranë tek Universiteti i Arteve.
Ana tashmë ti je një kantautore e suksesshme, si ishte rrugëtimi yt deri në ditët e sotme?
Rrugëtimi im ishte një shteg që edhe ka pasë vështirësitë e veta. Unë jam rritë në Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Kujtim Alija” duke marrë pjesë në Korin e Fëmijëve edhe si soliste. Pastaj jam përfshi në kompeticione si Gjeniu i Vogël. Më pas vijnë festivalet si “Lulebore”, “Rising starts” dhe të tjerë ku kam prezantuar kompozimet dhe krijimet e mia. Tashmë kam realizuar një album të plotë dhe disa këngë.
Të fillosh një karrierë muzikore në Shkodër, sa sfiduese ishte për ty ?
Shkodra është djepi i kulturës edhe konkurenca normalisht është e lartë, por jam me fat që kolegët e mi i kam miq e shokë. Ka qënë e vështirë të eci përpara në disa raste sidomos kur isha më e vogël, por tani jam e rritur edhe mundem të kujdesem për veten, zërin dhe krijimtarinë time.
Performancat tuaja janë vlerësuar me çmime kryesisht triumfuese , çfarë ndjesie dhe përgjegjësie të japin këto vlerësime?
Normalisht çdo performancë që vlerësohet sado pak apo shumë, unë jam shumë mirnjohëse sepse është privilegj dhe nder të dalësh para njerëzve dhe të tregosh një anë tënden të brendshme.

Si ka ndryshuar jeta jote nga momenti i parë i daljes në skenë deri në momentet që flasim?
Shumë. Vërtetë shumë. Për herë të parë isha fëmijë 6 vjeçe, tani jam 22. E merr me mend sa sa ndryshim i madh është si fizik edhe emocionalisht.
A ka këngëtarë që ndikuan në rritjen tënde profesionale dhe cilët janë ata?
Kjo është pytje gjithmonë e vështirë për mua sepse nuk di ti ndaj ata. Por mund të them se unë jam rritur me klasikët dhe këngëtarët e njohur botërorë si Celine Dion, Andrea Bochelli, Adele, Frank Sinatra, Ella Fitzgerald, Etta James, Whitney Houston, The Beatles etj. , dhe shumë e shumë muzikë klasike.
" Himne Hiri" është albumi që sapo ke prezantuar për publikun shkodran. Sa këngë përmban ky album dhe sa impenjative ishte të vije deri në këtë ditë?
Albumi përmban 14 këngë. 11 prej tyre janë himne të vjetra të krishtera kryesisht të marra nga anglishtja e vjetër dhe të shqipëruara. Pastaj shtova edhe 3 kangë të mia origjinale, pjesë e të cilës është edhe “Nuk lul’zon pa Zot”. Proçesi ishte shumë i gjatë dhe impenjues sepse u desht që çdo gjë të ishte perfekte dhe gati për njerëzit. Mund të them që krejt si projekt ka zgjatur rreth 4 vite.
Çfarë tematikash trajton në këngët tuaja?
Këngët japin mesazh shprese, dashurisë së Zotit, humbjeje, qetësie, dashuri pa kushte, lëngimi, lumturie.
Si ndjehet Ana kur merr reagimin e kalimtarëve në rrugë?
Është e bukur sepse nuk jam mësuar të më njohin njerëzit në rrugë, dhe nuk më shkon mendja që mund të më njohin nga muzika apo çfardo lloj gjëje kur më ndalin në rrugë, është gjithmonë një moment shumë i bukur.
Kujt ja dedikon suksesin tënd, pra a qëndron një njeri që e mbështetë Anën në çdo hap të sajin?
Suksesin ia dedikoj Zotit. Ai ma ka dhënë dhuntinë, talentin dhe atij i takon. Por prindërit dhe familja janë mbështetësit më të mëdhenj për mua, që nuk mund ti zëvendësoj.
Në cilën skenë ke ëndërr të performosh , apo festival ?
Ëndërr e imja është të performoj në vende si Royal Albert Hall, Music Hall në Berlin dhe në Concert Hall në Viene.
Cili do të jetë triumfi i radhës?
Nuk e di akoma, shpresoj të kem mundësinë të marr pjesë në festivale të ndryshme dhe në koncerte të tjera. Ku i dihet se çfarë do të ketë e ardhmja.
Përgatiti
Arjola Zadrima
Comments