Shpëtim Garuci: Rikthimi i një piktori në qytetin e lindjes
- Revista Ikon
- Feb 10
- 4 min read
Updated: Feb 11

Intervista me Shpëtim Garucin
Si ndihesh në qytetin e Shkodrës, pse ike Shpëtim, dhe cila ishte arsyeja që të riktheu përsëri mes nesh?
Shkodra është qyteti i lindjes, është qyteti i kulturës, artit dhe mendimit intelektual, dhe këtë fat të secilit shkodran e kam edhe unë si një qytetar i saj. Ikja është fjale e egër në realitetin tim. Unë u spostova fizikisht, por mendja dhe shpirti ishte, është dhe do të jetë në Shkodër. Kështu që ikja dhe kthimi nuk janë, sepse unë jam në Shkodër gjithmonë. (Artistët janë si bletët që mbledhin nektar kudo, çdo moment për të gjetur gjithçka dhe gjithkund për të përmirësuar veprën e tij.)
A është e vështirë për ty të pikturosh diçka që nuk e ke shumë dëshirë, por duhet ta bësh për shkak të porosisë?
Klienti është shumë i rëndësishëm në punën tonë dhe bashkëpunimi është një ndër gjërat shumë të rëndësishme. Këtë bashkëpunim e drejtoj që puna që do marrë klienti të jetë sa më bukur dhe sa më artistike. Prandaj, çdo punë që bëj ka përkushtimin që të arrijë një vepër sa më me vlera të mundshme.
Keni guxuar ndonjëherë në pikturë, keni thyer tabu, jeni ndjerë i kritikuar dhe si e keni menaxhuar situatën?
Në artin tim ka një vetëpërmbajtje në përmbajtjen e temave, por gjithmonë guximi në art është një fenomen që e kam praktikuar në shumë herë dhe me lloje të ndryshme materialesh. Shumë punime që kanë qenë shprehje e guximit tim në artin tim janë shitur.
Gratë janë shpesh subjekti juaj kryesor, pse?
Gruaja është burimi i jetës, përkujdesja ndaj jetës, ka forcën e bukurisë, inteligjencës, sakrificën, dhembshurinë, vuajtjen, si pjesë e shoqërisë dhe me potencialin femëror ajo kthehet tek arti im si Mona Liza e pazëvendësueshme, përmes bukurisë fizike, përmes vlerësimit etnografik të veshjeve që mbështjellin Even e jetës. Gjithmonë, në çdo periudhë të artit botëror, figura femërore është simbolika e bukurisë dhe mbetet si një muze artistit që i ushqen energjinë magjike të krijimit në artin vizual. Tek unë, është figura përbërëse e mënyrës së shprehjes në artin që bëj.
A ka një ëndërr në sirtar për ju?
Do të jem i shkurtër në përgjigje. Në sirtar nuk kam, por dëshiroj që puna ime të jetë një kënaqësi për shikuesin, të japë ndjesinë e mirë gjithmonë.
Nëse nuk do të ishe piktor, çfarë do të ishe?
Nëse nuk do isha piktor, ndoshta do isha një krijues tjetër, i angazhuar në një formë tjetër arti, për të shprehur mendimet dhe emocionet që mbaj në shpirt.
Cili është roli i dashurisë në jetën tuaj?
Dashuria është shumë delikate, ka fuqinë e të mbinatyrshmes, dhe është arti i vërtetë në tabllonët e lumturisë. Dashuria tek unë është e ndarë në dashurinë njerëzore që është simbolike për jetën, familjen, shpirtin dhe zemrën, mendjen, gjithçka që plotëson atë tingull që njeriut i jep mundësinë të jetë i lumtur dhe të bëjë të lumtur njeriun në të cilin ndan dashurinë. Por do të thoja që dashurinë për pikturën e kam ushqyer që në fëmijëri dhe kjo dashuri nuk luan, nuk trembet, nuk largohet, nuk thyhet, gjithmonë është drita që më lë të shoh përtej asaj që prekim, përtej asaj që shohim, është dashuri që vetëm më jep forcën në mendim për të krijuar krijime artistike në pikturë që çdo ditë më shumë vetëm më lartëson mendimin dhe gjykimin në artin tim.
Cila është gjëja e parë që merr në konsideratë para se të fillosh një pikturë?
Për çdo pikturë, unë e kam në mendje si ide dhe e trajtoj atë në mendje deri në detaje, në formë dhe ngjyra, por kur mendoj fillimin, gjithçka ecën në rrugën se si do të përfundoj dhe si do të jetë reagimi i personit që e merr. Dua që në fytyrën e blerësit të jetë një buzëqeshje kënaqësie për veprën që mori.
Zakonisht piktorët kanë orare jo të rregullta, si janë oraret e tua?
Unë jam një veçanti, do të thoja, sepse punoj çdo ditë dhe me një ritëm të njëjtë. Përveç orarit të përditshëm, unë edhe në shtëpi apo kudo që të jem, mendoj për pikturën, për idenë që mund të sjellë një krijim të ri. Pra, i bie që jam çdo moment me telajon, bojrat dhe penelat.
A ke ndryshuar me kalimin e viteve ?
Ndryshimi është veçori që vetë personi se sheh, por kur analizon jetën, punën dhe atë që ke arritur gjatë gjithë kohës, kupton që ndryshimi ka qenë pozitiv për krijimtarinë time, dhe kjo është një pjesë shumë e rëndësishme për mua.
Nëse do të veçoje një pikturë tënden, cila do të ishte dhe pse?
Arti i pikturës lindi tek unë dhe u rrit në mua si një mënyrë komunikimi, të mendimit, të dëshirave dhe gjithçkaje që më frymëzon. Unë kam punuar shumë piktura, ndër to porosi dhe krijime të mia. Në grupin e pikturave më të mira të mia janë disa krijime kompozime ku është shprehur bukuria apo mendimi që lë të shijojë veshguesin kulturën dhe vlerat e qytetit tim Shkodër. Unë po shkëpus nga ky grup portretet e gruas shkodrane. Thashë portretet, sepse janë disa, por edhe më veçante në përzgjedhje është portreti i "Gruaja me borzilok".
Keni ndonjë projekt të rëndësishëm në të ardhmen?
Shkodra më jep gjithçka; emocionale, shpirtërore, vizuale, energjinë, gjuhën që tingëllon shumë bukur në dialektin tonë, muzikën dhe gjithçka që lind nga kjo muze e artistit që quhet Shkodër loce.

Comments