Ana Karenina
- Revista Ikon
- Oct 29, 2024
- 1 min read

Kristiana Dodaj
Ana Karenina”,romani i bujshem i cili nuk mbeti vetem i tille, shkruar gjatë viteve 1873-1877 prej shkrimtarit të madh rus Leon Tolstoi.
Vepra hapet me një citat madhështor: “Familjet e lumtura janë të gjitha njësoj, ndërsa familjet fatkeqe, janë fatkeqe ndryshe nga të tjerat.” Kjo novelë është një kryevepër e dashurisë tragjike të Ana Kareninës me kontin Vronski, të dy këta pre e një dashurie, që nuk do të marrë kurrë miratimin nga shoqëria ruse e kohës. Kurorëshkelësja Ana Karenina ndjek një rrugë të pashmangshme të shkatërrimit shoqëror dhe shpirtëror. Ajo që e bën librin kaq të pëlqyeshëm për publikun, është aftësia e Tolstoit për të balancuar historinë pasionante të Ana Kareninës dhe jetës familjare të Levinit, personazhit që kryen një martesë të thjeshtë, që është besnik ndaj Zotit dhe që i pëlqen të merret me bujqësi. Autori u ofron lexuesve mëkatin e ëmbël të Anës dhe më pas i edukon ata me virtytet e Levinit.
Tema e jetës familjare shpërfaqet ngacmuese që në aforizmën hyrëse të romanit. Ana, një grua e martuar, pjesë e aristokracisë, shkatërrohet nga dashuria e vet, dhe qëllimi i Tolstoit për ta bërë atë fatkeqe, por jo fajtore për dashurinë e saj, i shërben pikërisht kësaj ideje. “Ana Karenina” është një vepër me fund të dyfishtë: vdekja tragjike e Anës nga njëra anë dhe jeta familjare e saponisur e Levinit dhe e Kitit nga ana tjetër. Qëllimi i artistit nuk është të zgjidhë problemin në mënyrë shteruese, por t'i bëjë njerëzit ta duan jetën në të gjitha shfaqjet e saj të panumërta, shkruan Tolstoi në vitin 1865.
Comentarios